Category Archives: Politike

Liberalizimi i vizave nuk do ta ndryshoj gjendjen tonë!

“Nuk ka prioritet tjetër që duhet të adresohet para këtij prioriteti, nuk ka fonde që duhet të shpenzohen, para se të shpenzohen fondet për këtë proces, nuk ka punë tjera që duhet të përfundohen para këtij procesi” – ishin këto fjalët e kryeministrit në mbledhjen e Komitetit Punues për Liberalizimin e Vizave me 3 maj të këtij viti. Nga kjo shihet se kryeministri ka vënë prioritetin e vizave përmbi çdo prioritet tjetër. A nuk është prioritet gjendja në Mitrovicë dhe siguria e qytetarëve në veri, varfëria dhe gjendja jonë e rëndë ekonomike e sociale, arsimi, shëndetësia, punësimi, e shumë të tjera që për ne qytetarët janë më urgjente se sa mundësia e lëvizjes pa viza e cila edhe ashtu po na kufizohet nga gjendja jonë ekonomike? Kryeministri e di shumë mirë se përderisa qytetarët tonë ikin nga Kosova për të siguruar kafshatën e gojës dhe përderisa Bashkimi Evropian (BE) ndihet i kërcënuar nga niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë nuk do të ketë liberalizim të vizave. Ky kryeministër po vazhdon të manipulojë me popullin duke përdorur liberalizimin e vizave si “kartë” për të mbetur më gjatë në pushtet dhe vazhdon të na premtojë liberalizimin si një “dhuratë magjike” që posa ta marrim do të ndryshojë çdo gjë. Ndërsa, BE po e përdorë premtimin për liberalizimin e vizave si “karrotë’’ për Kosovën e cila në dialogun politik me Serbinë në Bruksel përdoret për të arritur BE-ja qëllimet e veta në Ballkan: largimin e Serbisë nga Rusia dhe afrimin e saj tek BE-ja. Po ne qytetetarët çfarë do të fitojmë?

Liberalizimi i vizave si ‘’karrotë’’ e BE-së për të arritur koncesionet e dëshiruara …

Bashkimi Evropian duke mos qenë i gatshëm që të realizojë premtimin për të pranuar shtetet e Balkanit në “klubin” e vet, e pa ‘liberalizimin e vizave’ si veglën më të mirë për të ndikuar tek shtetet e Balkanit për të filluar reformat e nevojshme si forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe migracionit të paligjshëm dhe forcimin e kapaciteteve të tyre administrative në kontrollin e kufijve dhe sigurinë e dokumenteve. Këto reforma nuk i ndihmuan vetëm BE-së për të rregulluar problemin e sigurisë por i ndihmuan edhe shteteve përkatëse që të jenë më të gatshme për procesin e integrimit në të ardhmen por edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre. Procesi i liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit dhe BE-në ishte i tipit “win-win” (fitore-fitore) sepse qytetarët e vendeve që fituan liberalizimin e vizave, duke përjashtuar Kosovën, jo vetëm që fituan të drejtën të udhëtonin pa viza por edhe fituan nga reformat që aplikuan shtetet e tyre në sigurinë e kufirit dhe të dokumenteve, në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat ishin fitore edhe për sigurinë e BE-së në të njëjtën kohë. Në rastin e Kosovës, BE-ja po e përdorë liberalizimin e vizave më shumë si vegël për të arritur marrëveshje me Serbinë sesa për të bërë presion mbi qeverinë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe në përmisimin e jetës së qytetarëve. BE-ja po e përdorë liberalizimin e vizave si “karrotë’’ për të arritur koncesionet e dëshiruara. Pra, liberalizimi i vizave, i cili mund të ishte një mjet i fuqishëm për të nxitur qeverinë për të bërë reformat dhe po ashtu të përmisojë jetën e qytetarëve, u përdor vetëm si vegël për diçka krejt tjetër: së pari, për ta futur qeverinë në dialogun teknik me Serbinë e, më pas, edhe në atë politik. Dhe, krejt kjo po bëhet vetëm për ta sjellur Serbinë më afër Evropës dhe më larg prej Rusisë. Deri më sot BE-ja ka arritur ta bind qeverinë të nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë e cila është shumë e dëmshme për të ardhmen e vendit, por nuk ka arritur as më të voglin sukses në përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si ndër kushtet kryesore që duhet përmbushur për liberalizimin e vizave. Deri vonë zyrtarë të lartë nga BE-ja na premtuan se liberalizimi i vizave mund të ndodhë më së largu në vitin 2014, ndërsa në prag të arritjes së marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, Samuel Žbogar, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, tha se ‘maksimumi kohor i liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë viti 2016’. Nga kjo po del se BE-ja po e shfrytëzon me shumë zgjuarsi qeverinë e korruptuar dhe të shantazhuar për të arritur qëllimet e veta në Ballkan.

Liberalizimi i vizave si kartë e qeverisë për të mbetur në pushtet…

Ndërkaq, nga ana e qeverisë së Kosovës karta e liberalizimit të vizave po vazhdon të përdoret me mjeshtëri duke u munduar që të largojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet e mëdha sociale dhe ekonomike. Por, jo vetëm kaq, pas çdo koncesioni të dhimbshëm që po bën qeveria po na e premton se do të shpërblehemi me liberalizimin e vizave. Dikur, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Ҫitaku, thoshte se Kosovës posa t’i jepet udhërrëfyesi me shpejtësi rekorde do ta fitojë liberalizimin e vizave sepse sipas saj Kosova veçse i kishte përmbushur gati të gjitha kriteret e caktuara nga BE-ja. Por gati pas një viti që kur Kosova mori udhërrëfyesin, nga zyrtarë të Brukselit na vijnë deklarata si ajo e eurodeputetes sllovene, Tanja Fajon, se Kosova nuk është ende e gatshme për liberalizimin e vizave sepse, siç tha ajo, nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara. Në të kundërtën, qeveria vazhdon të na rikujtojë se Kosova ka bërë përparime të mëdha në përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe në plotësimin e kritereve të përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Bile, ditëve të fundit, pamë sesi pushteti ia del të manipuloj edhe shifrat e papunësisë, siç ishte rasti i Agjencionit të Statistikave të Kosovës e cila në ditën e 1 Majit prezantoi shifra joreale duke thënë se papunësia në Kosovë është 35%. Po ashtu, në takime me delegacione Evropiane dhe në konferenca shtypi kemi dëgjuar kryeministrin të zotohet se do të bëjë çdo gjë që është e mundur për të plotësuar kriteret e caktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave në mënyrë që të na sigurojë neve si qytetarë lëvizjen e lirë dhe pa viza në zonën e Shengenit. Se kur do ta marrim liberalizimin e vizave dhe sa e sa konsecione të dhimbshme duhet të bëhen paraprakisht, nuk është e qartë.

 

Deri më tani Kosova ka bërë shumë pak në përmbushjen e kushteve të kërkuara për liberalizimin e vizave. Sipas raportit të Komisionit Evropian del se Kosova është shumë larg nga përmbushtja e kritereve të caktuara nga BE-ja. Raporti paraqet shumë mangësi sa i përket performancës së qeverisë duke filluar nga fusha e ri-pranimit, ri-integrimit, si dhe sigurisë së dokumenteve ku vëmendja më e madhe i kushtohet skandalit me pasaporta biometrike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, menaxhimit të kufijve dhe migracionit, rendit dhe sigurisë publike dhe të drejtave të njeriut që lidhen me lirinë e lëvizjes. Përveç vërejtjeve të shumta që jepen në Raport, vëmendje të veçantë i kushtohet korrupsiont dhe krimit të organizuar i cili vazhdon të mbetet problem madhor dhe serioz në Kosovë dhe kërcënimi më i madh për sigurinë e brendshme të BE-së. Reformimi i sistemit të drejtësisë, parandalimi i ndërhyrjeve politike në hetime, si dhe numri i lartë i lëndëve të pazgjidhura janë konsideruar si hapa që duhet të ndërmerren për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e për të cilat deri më tani qeveria nuk ka bërë asgjë. Mungesa e zhvillimit ekonomik të vendit, mungesa e hapjes së vendeve të reja të punës, varfëria e madhe në vend, numri i madh i aplikacioneve për azil, dështimet në reforminin e administratës dhe të gjyqësorit si dhe mosluftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë disa nga faktorët kryesorë që do të na bllokojnë nga lëvizja e lirë pa viza në zonën e Shengenit. E të mos flasim për skandalet e një pas njëshme të kësaj qeverie e në veçanti skandalit me pasaporta biometrike të Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilat po e dëmtojnë rëndë mundësinë e liberalizimit të vizave.

 

Se Kosova është larg nga marrja e liberalizimit të vizave na dëshmojnë edhe statistikat e nxjerra nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore. Sipas statistikave papunësia në Kosovë vazhdon të jetë 45%. Përderisa 37% e popullsisë, krahasuar me 32% në prill të vitit 2012, besojnë se gjendja ekonomike nuk do të ndryshojë, 18% e popullsisë besojnë se gjendja e rëndë ekonomike do të rëndohet edhe më tepër. Për më tepër, 47% e popullsisë e shohin papunësinë si problem kryesor. Dhe, si shpëtim nga kjo gjendje, 55% e rinisë kosovare e konsiderojnë ikjen nga Kosova si zgjidhjen më të mirë. Vetëm gjatë vitin 2012 në vendet e BE-së u paraqitën më shumë se 10 mijë kërkesa për azil duke bërë që Kosova ta zë vendin e 9-të në botë me numrin e azilkërkuesve. Në vend se kjo gjendje të shkojë drejt përmirësimit ajo vetëm sa po përkeqësohet edhe më tepër. Gjatë dy javëve të fundit, bazuar nga publikimi i gazetës Zëri, kanë ikur rreth 150 të rinj nga Kosova në Hungari përmes Serbisë për t’u shpërndarë më pas në vendet e tjera evropiane.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës …? 

Por edhe sikur BE-ja të na ofrojë liberalizimin si shpërblim për koncesionet e bëra ndaj Serbisë duke mos kërkuar nga qeveria të plotësojë kriteret tjera të parashikuara, gjë që nuk do të ndodhë, ne qytetarët nuk kemi si shpresojmë shumë. Edhe pse me liberalizimin e vizave premtohet lëvizja e lirë pa viza nëpër vendet e zonës së Shengenit, nga kjo do të përfitojnë më pak se 10 përqindëshi i popullsisë – ata që i kanë mjetet financiare për të udhëtuar, të cilët tashmë veçse janë duke udhëtuar dhe duke shijuar bukuritë e qyteteve evropiane. Ndërsa për pjesën dërrmuese të popullsisë lëvizja e lirë kufizohet me gjendjen ekonomike dhe financiare, që do të thotë se po nuk pate mjaft para për të dëshmuar se mund ta mbash veten gjatë gjithë qëndrimit tënd apo të dëshmosh vendin se ku do të qëndrosh atëherë në bazë të nenit 5.1 Schengen Borders Code udhëtimi për në zonën e Shengenit nuk të lejohet. Liberalizimi i vizave do të thotë se qytetarët mund të udhëtojnë pa viza duke u liruar nga procedurat e gjata dhe të shtrejta për aplikim të vizave. Pra, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të bëjnë vetëm udhëtime të shkurtëra pa viza në zonën e Shengenit me të drejtë qëndrimi deri në 90 ditë përbrenda periudhës 6 muajshe. Por liberalizimi i vizave nuk ofron të drejtën e punës në këto vende e as të drejtën për edukim për të cilat ka më së shumti ka nevojë rinia e Kosovës.

 

Kosova ballafaqohet me shumë problem serioze politike, sociale dhe ekonomike kurse qeveria fokusohet në liberalizimin e vizave thua se liberalizimi i vizave do të rregullonte çdo problem që ka Kosova. Në vend të hapjes së vendeve të reja të punës, perspektivës ekonomike dhe sociale, pushteti, si gjithmonë joserioz dhe i pasinqertë, na premton liberalizimin e vizave duke shpërfillur gjendjen tonë të mjerueshme. Qytetarët nuk po e shohin liberalizimin e vizave si mundësi për të lëvizur lirshëm si turistë por si mundësi për të ndryshuar gjendjen e tyre tashmë të rëndë sociale dhe ekonomike. Dhe, ndryshimi i gjendjes së tyre sociale dhe ekonomike është e pamundshme të realizohet përmes liberalizimit të vizave. Si shembulli më i mirë për këtë mund të marrim qytetarët shqipëtar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja e po ashtu edhe nga Maqedonia të cilët konsideruan liberalizimin e vizave si mundësinë më të mirë për të thyer akullin e varfërisë. Në momentin kur Serbisë dhe Maqedonisë ju lejua lëvizja e lirë pa viza, të rinjtë shqiptarë iu vërsulën kufijve me shpresën se atje do të gjejnë punë dhe kushte më të mira për jetë. Apo, siç ishte shprehur një i ri nga Bujanoci “Nuk ka punë…Me ikjen në Perëndim i them lamtumirë skamjes dhe mjerimit”. Ata shkuan dhe e panë se çdo të thotë liberalizimi i vizave. Përderisa një numër i qytetarëve vazhdojnë të jetojnë në qendrat e azilit me ndihma sociale me shpresën se shtetet përkatëse do t’iu ofrojnë azilin, pjesa më e madhe e qytetarëve u kthyen prap në vendin e tyre të varfërisë dhe të papunësisë. Pra, liberalizimi përpos që ju mundësoi të udhëtojnë pa viza nuk ju ndihmoi në ndryshimin e gjendjes së tyre të rëndë sociale. Dhe, po e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ne. Atëherë, sa ia vlen që t’i besojmë premtimeve boshe të qeverisë se së shpejti do të lëvizim pa viza kur qeveria nuk na ka siguruar lëvizjen e lirë në tërë territorin e vendit tonë…, kur qeveria premton heqjen e vizave pa bërë asnjë përmirësim të gjendjes ekonomike dhe sociale…, kur qeveria nuk e ka luftuar dhe nuk e ka ndërmend ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar sepse kjo i bie që ajo duhet ta luftojë vetveten…, kur qeveria nuk është në gjendje të sigurojë mirëqenie për qytetarët që i ka brenda e lëre më të sigurojë mirëqenie dhe siguri për ata që do të kthehen…, dhe, kur xhepat tonë çdo ditë e më tepër po zbrazen…!?

 

A ia vlen të bëjmë kompromise të dhimbshme me vendin tonë dhe të ardhmen tonë vetëm për të fituar një liri të lëvizjes pa viza e cila edhe ashtu po na kufizohet nga gjendja jonë ekonomike?

 

Fitore Pacolli, MSc

Ligjeruese ne Kolegjin UNIVERSUM

Advertisements

Kosova drejt një konflikti shoqëror!

Informatat dhe lajmet e publikuara në mediet vendore tregojnë se mijëra qytetarë të Kosovës, kryesisht të rinjë, janë duke qëndruar në kampet e shtetit hungarez dhe dhjetëra të tjerë po nisen çdo ditë vetëm nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë për në veri të Serbisë, përkatësisht në qytetin e Suboticës, i cili gjindet afër kufirit me Hugarinë. Ata shfyrtëzojnë këtë rrugë për të kaluar në shtetet e  zhvilluara e destinacion primar e kanë Evropën perëndimore. Është fakt shumë shqetësues, mirëpo më shqetësuese është mënyra se si qeveria po tenton t’i qaset këtij fenomeni në rritje. Ndalja e arratisjes së qytetarëve të uritur dhe të lodhur nga skamja, papunësia dhe korrupsioni përmes forcave policore dhe prokurorisë shtetërore nuk është zgjidhje e duhur dhe nuk do të sjell asnjë përmirësim të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale në vendin tonë.

Duke pasur parasysh se qeveria nuk e ka pasur asnjëherë prioritet për ta zgjidhur këtë problem, ka qenë e pritur se Kosova do të  përballet me një sfidë të tillë. Në një studim të publikuar në tetor të vitit 2009, Dominik Zaum, profesor në Universitetin e Reading  në Angli, kishte arritur në përfundim se situata e vështirë ekonomike në Kosovë do të shpie drejt rritjes së trafikimit me qenie njerëzore, korrupsionit, rritjes së migrimit dhe shfaqjen e një konflikti shoqëror. Në të njëjtën mënyrë Vedran Džihić, ligjërues në  Universitetin e Vjenës  dhe në atë të Bosnjes, në një shkrim të tij në vitin 2010, e kishte konsideruar Kosovën si një ‘’bombë të kurdisur” e cila pritet të pëlcas në çdo moment për shkak të kushteve të rënda ekonomike në të cilat gjendet vendi. Në anën tjetër, raporte të ndryshme nga organizata të njohura ndërkombëtare dhe vendore kanë potencuar po ashtu një rrezik të tillë.

Mirëpo, të gjithë këta indikatorë u injoruan nga qeveria. Madje edhe tragjedia e Tisës, e cila ndodhi në nëntor të vitit 2011 ku humbën jetën 15 qytetarë nga Kosova kur u larguan në mënyrë ilegale me qëllim që të gjejnë një jetë më të mirë, u trajtua vetëm si një akt tragjik i kryer nga njё grup kriminelёsh. Në vend se qeveria të ndërmirrte hapa për të përmirësuar gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve, ajo na ngushëllonte me atë se çdo gjë do të rregullohej pas kapjes së atyre që kryen krimin. Duke premtuar se do të bëjë çdo gjë që të sjellë personat përgjegjës para drejtësisë, qeveria injoroi me vetëdije të plotë faktorët kryesorë – papunësinë dhe varfërinë e lartë në vend, që shtyen qytetarët fatkeq të marrin rrugën ilegale të emigrimit.

Në një shkrim të mëhershmë të cilin ia pata kushtuar tragjedisë së Tisës kam potencuar se kjo tragjedi nuk mund tё trajtohet vetёm si njё akt tragjik i kryer nga njё grup kriminelёsh, por si njё tragjedi shkaktarёt e sё cilёs shtrihen thellё nё sistemin politik tё Kosovёs. Korrupsioni, kriminaliteti dhe padrejtёsia kanë përkeqësuar gjendjen e rëndë sociale dhe ekonomike dhe tragjedi të tilla do të ndodhin gjithnjë përderisa ne si qytetarë nuk kërkojmë përgjegjësi prej kësaj qeverie. Tragjedinë e Tisës e kam konsideruar si një këmbanë zgjimi e cila na ftonte për angazhim në mënyrë që të ndryshojmë gjendjen tonë të rënduar sociale.  Por edhe atëherë qeveria me influencë dhe mjeshtëri të përsosur së bashku me mediet servile ndaj pushtetit u përkujdesën që para syve të publikut tragjedia e Tisës të paraqitet vetёm si njё akt tragjik i kryer nga njё grup i trafikantëve dhe jo si një gjendje emergjente që kërkonte veprime konkrete dhe të menjëhershme nga qeveria. Kjo po ndodh gjithnjë kur kemi situata të tilla.

Dhe sot kur mijëra qytetarë po largohen nga Kosova qeveria si strategji për dalje nga kjo situatë po e sheh ndalimin e ikjes së qytetarëve nga skamja të cilën e ka krijuar vet kjo qeveri përmes policisë dhe prokurorisë së shtetit. Kjo tregon se qeveria e tanishme nuk e ka ndërmend të bëj asgjë për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.  Kjo qeveri po brengoset vetëm për efektin që kjo situatë do të ketë në marrjen e liberalizimit të vizave: nuk po mundohet që ta zgjidhë këtë problem por vetëm ta maskoj atë. Mirëpo, ç’na duhet liberalizimi i vizave kur populli nuk ka bukë për të ngopur veten e lëre më të vizitojë Evropën?!

Kjo mënyrë na kthen mbrapa në kohën kur shqiptarët lëshonin Kosovën për të gjetur një jetë më të mirë. Ikja dhe qëllimi i largimit nga Kosova është i njëjtë, por ajo që e dallon këtë situatë nga ajo kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia është se qytetarët po largohen pa shpresa se do të kthehen ndonjëherë. Ne sot po përballemi me një pabarazi sociale ku vetëm një përqindje e vogël e popullsisë, e ashtuquajtura elitë, po bëjnë jetë luksoze ndërsa pjesa dërrmuese e popullsisë po jeton në një gjendje të mjerueshme.

Dje kur rreziku na vinte nga Serbia, edhe pse ishim në gjendje jo të mirë për t’u ngritur kundër forcave ushtarake serbe ne u ngritëm, rezistuam dhe mbrojtëm me nder vlerat dhe të drejtat tona. Ndërsa sot ne disi jemi dorëzuar, sikur nuk po kemi guxim të ngritemi kundër këtyre padrejtësive që po na i bën kjo qeveri. Kjo qeveri na e ka humbur dinjitetin kolektiv dhe vetëbesimin shoqëror.

Ne, si qytetarë, duhet ta kemi të qartë se të luftosh kundër një padrejtësie është e drejtë humane. Prandaj qytetarët duhet të vërshojnë rrugët në mbrojtje të vlerave njerëzore. Nuk mjaftojnë vetëm komentet në rrjetet sociale për të luftuar kundër padrejtësive që po na bëhen sot. Stephane Hessel, njëri ndër bashkëpërpiluesit e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, në pamfletin e tij Angazhohuni thotë ‘të mbrohemi dhe të ngrihemi kundër padrejtësive nuk guxon të përfundojë vetëm në mendime dhe në emërtimin e problemeve, por duhet të vazhdojë deri në aksion’. Hessel shton se rinia duhet të ngritet dhe të angazhohet kundër padrejtësive dhe kjo sot vlen më së shumti për rininë tonë e cila identifikohet si rini me vlera evropiane. Prandaj, ata që duan jetë të dinjitetshme  duhet të ngriten dhe të angazhohen për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e drejtë të demokracisë dhe barazisë. Ne, që kemi hapur mendjen dhe synim kemi vlerat, duhet të ngrihemi për të mbrojtur të drejtat tona ekonomike dhe sociale të cilat do të na siguronin mirëqenie dhe zhvillim. Vetëm përmes një angazhimi të mirëfilltë dhe duke krijuar shembuj të mirë mund të bëjmë një ndryshim thelbësor i cili do ta shpëtonte Kosovën nga konflikti shoqëror. Kosova i ka të rinjtë, të rinjtë e kanë Kosovën, kjo duhet të na shtyej përpara për të rikthyer dinjitetin dhe vlerat tona.

 

Fitore Pacolli,MSc

Ligjeruese ne Kolegjin UNIVERSUM

 

Kosova – tre vjet pas!

Me 17 shkurt 2008, Prishtinën e patën mbuluar fishekzjarret, këngët, buzëqeshjet dhe lotë gëzimi. Ishte një ditë e ftoht por e ngroht për qytetarët e Kosovës. Ishte dita kur e ardhmja e jonë si shtet për herë të parë do të shkëlqente mbi ne. Dita kur ne besuam se duke u bërë edhe ne pjesë e një shteti do të kemi përkrahje, mbrojtje, zhvillim ekonomik dhe punësim. Tash pas tre vjeteve prap në sheshin e Prishtinës u dëgjuan këngë, fishekzjarre dhe gëzime por më të ftohat sesa tre vjet më parë. Gjendja në veri, zgjedhje të manipuluara, imazhi i dëmtuar në botë, varfëria, papunësimi dhe frika se ҫfarë do te sjellim bisedimiet e ardhmshme sikur e kanë zbehur gëzimin dhe buzëqeshjet e njerëzve në fytyrat e tyre.

‘Tri vjet qeverisje … Kosova ka shënuar një progres në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie sociale’ ishin këto fjalët që erdhe një ditë para këtij përvjetori nga kryeministrit i Kosovës në largim Hashim Thaqi. Fjalë këto që nuk paraqesin as pak gjendjen e vërtetë në Kosovë. Është e vërtetë se që nga shpallja e Pavarësis, Kosova e ka miratuar kushtetutën në përputhje me standarded Evropiane, i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në rajon dhe sigurimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Poashtu, Kosova arriti bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtarë, e Bankës Botërore dhe anëtare e CEFTAS ku këtë vit është edhe kyresuese. Por këto të arritura kanë ndihmuar shumë pak në ndërtimin e një të ardhme të sigurt, në zhvillim dhe prosperitet ekonomik për qytetarët e saj.

Kosova edhe sot vazhdon të sfidohet nga probleme të shumta politike,ekonomike dhe sociale. Kosova vazhdon të jetë shtet në ‘limbo’ i panjohur për 117 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Vazhdon të jetë e burgosur nën ombrellën e pavarësisë së mbikqyrur dhe vazhdon të jetë e pa aftë për ta shtrirë pushtetin e saj në tërë territorin e Kosovës. Injorimi dhe inferioriteti i qeverisë që ta marrë nën kontroll dhe të vendos ligjshmëri në tërë territorin e Kosovës ka bërë që veriu i Kosovës të mbetet në duar të strukturave paralele serbe. Duke lënë mundësin e shëndrrimit të kësaj pjese në vatër krimi, korrupsioni dhe kontrabandimin. Dhe duke bërë të pamundur për qytetarë të asaj ane të kthehen dhe të punojnë në qytetin e tyre.

Për më tepër Kosova edhe sot vazhdon të jetë e varur në donator të huaj për mbështetje financiare si vendi më i varfër në Evropë. Deklaratat e kryeministrit në largim se Kosova ka bërë progres edhe në fushën e zhvillimit ekonomik janë thjesht joreale sepse vetë niveli i papunësis dhe niveli i varfëris e tregojn të kundërtën. Nësë i analizojmë raportet e organizatave të njohura ndërkombtare si përshembull at të Bankës Botërore shihet qartë se Kosova ka ngecur aty ku kishte filluar. Sipas Bankës Botërore edhe pse ekonomia në Kosovë ka shënuar rritje niveli i varfërisë (45% varfëri relative dhe 17% varfëri absolute) dhe i papunesisë (47% papunësim) që nga viti 2007 deri ne 2010 ka mbetur i njëjtë.

Po ashtu duke iu referuar fjalëve të kryeministrit në largim del se Kosova ka bërë një hap shumë të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por pasqyra e raporteve nga organizatat e njohura botërore na e trëgojnë të kundërtën. Sipas organizatës botërore Transparency International, Kosova renditet e 112-ta ndër vendet më të korruptuara në botë. Pra në realitet korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë edhe me tutje të jenë pjesë përditshmërisë në Kosovë. Aq më shumë kur korrupsioni është prezent brenda institucioneve të vendit. Fenomene këto që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë zhvillimin e këtij vendi dhe për të cilat ҫuditërishtë nuk ndermirret asgjë.

Me një fjalë ky është realiteti po na shoqëron e në ҫdo pervjetor dhe i cili na shtyen ta pyesim veten se a jemi duke ecur përpara, kthyer mbrapa apo kemi mbetur aty ku ishim. Unë me pak fjalë do të kisha thënë se ne ishim, mbetëm dhe kam frikë se do të vazhdojmë të mbesim në gjendjen e njëjtë sic ishim para tre vjetëve me pavarësi jo të plotë, nivel të lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, nivel të lartë të papunësis dhe të varfërisë dhe reputacion të dëmtuar ndërkombëtarë.

Ndoshta po tingëllon pak si pesimizëm i thellë por është gjendja në të cilën ndodhet Kosova dhe mënyra sesi politikanët për interesa partiake e sjellën Kosovën në këtë gjendje. Ata me egoismin e tyre na treguan se janë gjendje ta dëmtojn imazhin e Kosovës edhe ti vënë në pikëpyetje të arriturat sa do të vogëla të Kosovës. Ishin në gjendje ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohëshme vetëm e vetëm për ta shfrytëzuar situatën e krijuar për manipulime dhe vjedhje të votave. Bënë ҫmos per te arritur në maje të shtetit duke dëmtuar edhe reputacionin e Kosovës në botë. Me këto zgjedhje u pa dhe u dëshmua se është e vështirë të bëhet ndryshim rrënjësor derisa nuk do të ketë vetdijësim të plotë tek politikanët tonë se në demokraci, nëse mund ta quajmë Kosovën si të tillë, nevojat dhe interesat qytetarit merren sado pak parasysh.

Andaj problemet dhe zgënjiment e popullit e kanë arritur deri në atë pikë të cilat në cdo kohë mund të shpërthejnë. Prandaj qeveria ardhshme duhet te jetë shumë e kujdesshme, të jetë transparente dhe e hapur ndaj qytetarit. Qeveria duhet të bëjë atë që asnjë qeveri se ka bërë deri më tani. Ajo duhet ti tregoj botës se është në gjendje të krijoj një shtet demokratik në të cilin sundon ligji dhe drejtësia. Të jetë këmbëngulëse në arritjen e qëllimeve të saja në kete rast shtrierjen e pushtetit në tërë territorin e Kosovës. Me një fjalë ti tregoj bashkësis ndërkombëtare se ka ardh momenti që termi Mitrovicë veriore të ndërrohet përgjithmonë në Mitrovicë. Dhe të bëjë ҫmos që ti kthej të gjithë qytetarët e larguar në shtëpitë e tyre në veri që ata ti kthehen jetës normale.

Qeveria e ardhshme duhet ta ndërroj mënyrën sa i përket lobimit në botë. Qeveria duhet të ketë një platformë të unisuar duke përfshirë kuadro nga partit politike, elita intelektuale, shoqërit civile dhe individ të suksesshëm brenda dhe jashtë vendit. Këtë nuk e kemi parë në qeverinë e kaluar. Ne e kemi parë se lideret tanë kanë dështuar në promovimin e Kosovës në botë. Nuk kanë arritur që të jenë unik kur ka qenë fjala për njohjen e Kosovës në mënyrë që të dërgojnë një mesazh të përbashkët në botë. Përderisa, Serbia ka gjithmonë platformëe unke sa i përket Kosovës. Ndryshe në Kosovë kemi parë konkurencë mes politikanëve se kush po arrin njohje më shumë e kush më pak. E të gjitha këto kanë rezultuar që Kosova të njihet nga vetëm nga 75 shtete.

Po ashtu qeveria pa tjetër duhet që të ndërmerr hapa konkret në reformimin e gjygjësorit në Kosovë duke e transferuar atë në një gjygjësorë të pavarur demorkatik, të drejt dhe transparent. Të mos i mbyllë sytë para korrupsionit dhe krimit të organizuar duke i luftuar këto dukuri negative që ҫdo dite e ma tepër po e ngulfatin jetën dhe zhvillimin e Kosovës. Tëe merr nën kontroll pikat kufitare atë në Zubin Potok dhe në Leposavic ku dyshohet se nga moskontrollimi i këtyre dy pikave Kosova humb rreth 100 milion euro në vit. Para këto që do të mund të investohen në krijimin e programeve zhvillimore.

Të përkushtohet në zhvillimin e një shoqërie të drejt duke u munduar që sado pak ta ngushtoj zbazësirën që po zgjerohet dita ditës në shtresa shumë të varfëra dhe shtresa shumë të pasura. Dhe kjo shoqëri mund të zhvillohet duke hapur vende të reja të punës që do të ndikonin në uljen e papunësis. Po ashtu duke ofruar programe zhvillimore dhe educative për të rinjët në lëmi të ndryshme për të krijuar një shoqëri të aftë për punë brenda ose jashtë vendit. Kjo do të kishte kontribuar në uljen varfërisë në vend.

E për më tepër të jetë vigjilente e sy hapur për të mbrojtur interesat shtetërore duke lënë anash ato partiake dhe personale në dialogun e ardhshëm me Serbin i cili mund të jetë një dialong sfidues për Kosovën. Së paku të mundohen që përvjetorin tjetër ta presim në një Kosovë plotësishtë të pavarur, me zhvillim ekonomik, me më pak varfëri dhe pa punësim.

 

Gëzuar Pavarësinë Kosovë!

 

Fitore Pacolli, MSc

Ligjeruese ne Kolegjin UNIVERSUM

 

Testohet me sukses programi Skuthi 1.0

Ekipi kërkimor i Kolegjit Universum testoi me sukses inovacionin Skuthi 1.0.  Ky program është ideuar nga kolegu ynë Ridvan Peshkopia dhe bashkëautori i tij  Steve Voss nga Universiteti i Kentuck-it në ShBA dhe zbatuar në bashkpunim me kompanin vendore Phronesis Technologies (www.phronesistech.com). Zbatimi i programit është kryer në kuadrin kërkimor të Kolegjit Universum. Falenderojmë Drejtorin ekzekutiv të Kolegjit Universum Alejtin Berisha për mendjeçelësinë në mbështetje të projektit.

Pasi së fundmi plotësuan dhe përshtatën një pyetësor të dërguar nga Prof. Festina Balidemaj, pas rreth 8 muajsh pune, ekipi i kreu telefonatat e para ditën e Dielë, 12 Maj. Detyra e telefonatave iu ngarkua studentes Zana Berisha, e cila punon në shërbimin e klienteve të një kompanie celulare dhe ka përvojë pune në kontakte me klientë nëpërmjet celularit.

Gjithshka shkoi sipas parashikimit; teknologjia funksionoi persosshmërisht brenda kornizave të përcaktuara nga studiuesit. Randomizimi i numrave funksionoi shkëlqyeshëm dhe po kështu funksionet e thirrjes dhe të plotësimit të pyetësorit në të njejtin aparat telefonik nga ku bëhej thirrja. Edhe kufjet funksionuan shumë mirë, duke i dhënë mundësi intervistueses t’i kishte duart e lira gjatë operimit të celularit. Edhe pajisja celular (HTC 4D Inspire) funksionoi shkëlqyeshëm.

Disa statistika: Studiuesit vërejtën me kënaqësi se, statistikisht, rezultati ishte shumë më i mirë nga ç’e prisnin. Të gjitha thirrjet u bënë brenda rrjetit të Ipko-s nga një llogari të çelur pak ditë më parë enkas për këtë aktivitet. Brenda gamës së mundëshme të numrave të Ipko-s (049100000 – 049899999, Zana bëri 35 thirrje nga të cilat 26 rezultuan ose numra inekzistente ose numra që nuk kishin qasje në rrjet. Dy thirrje mbetën paraprakisht pa pergjigje (me vonë, njeri nga marrësit e thirrjes na thirri vetë). Shtatë qytetarë iu përgjigjen thirrjes dhe katër prej tyre nuk pranuan t’i përgjigjen pyetësorit. Tre qytetarë u përgjigjën deri në fund të pyetësorëve. Pyetësori i parë zgjati 9 minuta por të tjerët ishin më të shkurtër. Në shkurtimin e kohës së pyetësorit ndikoi edhe përshtatja më e mirë e Zanës me pyetësorin.

Gjatë aplikimit u identifikuam disa kërkesa për funsione të reja, të cilat pritet të implementohen në Skuthi 2.0.

Si rezultat i këtij suksesi, vera e këtij viti do të jetë e ngarkuar me projekte kërkimore dhe me mbledhje të dhënash për këto projekte ose në shërbim të pasurimit të fondit të të dhënave të Kolegjit Universum. Ekipi i krijuesve të projektit do ta prezantojë atë në konferencën DisCo në Pragë, 24 dhe 25 Qershor 2013.

Krahasimi i Kushtetutes ne kohen e Mubarakut dhe tani ne kohen e Presidentit Morsi

Kushtetuta  e vjeter


Kushtetuta e re


Identifikimi i shtetit:Republika Arabe e Egjiptit është shtet demokratik i bazuar në qytetarët. Populli i Egjiptit është pjesë e Kombit Arab dhe punon për realizimin e unifikimit të tij. Identifikimi i shtetit: Republika Arabe e Egjiptit është shtet i pavarur me sovranitet të unifikuar që nuk mund të ndahet. Sistemi i tij është demokratik. Populli egjiptian është pjesë e kombeve arabe dhe islamike (Umetit Musliman). Është krenar që i takon portit afrikan të Nilit dhe Afrikës, ashtu siç është krenar për pjesët e tij Aziatike.

Islami dhe sheriati:

Neni 2 thotë: Islami është feja shtetërore dhe gjuha arabe është gjuha zyrtare. Rregullat e sheriatit janë burimi kryesor i legjislacionit


Islami dhe sheriati:

Neni 2 mbetet i paprekur.

Rreth sheriatit shtohet neni 219 ku thotë:

Parimet e Sheriatit përfshijnë provat e përgjithshme dhe parimet e tij, rregullat dhe jurisprudencën, si dhe burimet e pranuara nga drejtimi Islam Sunit dhe shumica e dijetarëve muslimanë.


Minoritetet fetare:

Nuk ka nen të tillë në kushtetutën e vjetër


Minoritetet fetare:

Parimet e legjislacionit për të krishterët dhe hebrenjtë egjiptian janë burimi kryesor i legjislacionit që organizon statusin e tyre civil dhe çështjet fetare.


Feja:

Shteti garanton lirinë e besimit dhe lirinë e ushtrimit të riteve fetare. “


Feja:

Neni 43 thotë: “Shteti garanton lirinë e besimit dhe lirinë e ushtrimit të riteve fetare dhe të drejtën për të krijuar vende të adhurimit për fetë monoteiste bazuar në ligj”;


Liria e shprehjes:

Nuk ka nen të tillë


Liria e shprehjes:

Neni 45 thekson:

“Liria e shprehjes dhe mendimit është e garantuar. Çdo person ka të drejtë të shprehë mendimin e tij me gojë ose me shkrim, fotografi ose mjete të tjera të botimit dhe të shprehjes.


Fyerja e profetëve dhe të dërguarve:

Nuk  ka nen të tillë


Fyerja e profetëve dhe të dërguarve

Neni 44 shton: “Fyerja e profetëve dhe të dërguarve është e ndaluar”.


Univeristeti i Al Azharit

Nuk përmendet universiteti i Al-Azhar ose dijetarët e tij.


Univeristeti i Al Azharit

Universiteti Al-Azhar është i pavarur dhe një subjekt gjithëpërfshirës. Ai merr detyrën e predikimit Islam në Egjipt dhe në gjithë botën. Dijetarët e AlAzhar duhet të konsultohen në të gjitha çështjet që lidhen me Sheriatin.


Demokracia dhe Shura (konsultimi):

“Sistemi politik është i bazuar në pluralizëm.”


Demokracia dhe Shura (konsultimi):

“Sistemi politik është i bazuar në parimet e demokracisë dhe në Shura”.


Gruaja:

Neni 10 thotë: “Shteti garanton mbrojtjen e Nënave dhe fëmijëve, ai duhet të kujdeset për fëmijët dhe të rinjtë dhe të sigurojë kushte të përshtatshme për zhvillimin e talenteve të tyre”; Neni 11 shton: “Shteti garanton ekuilibrin e duhur midis detyrave të gruas ndaj familjes dhe punën e tyre në shoqëri, duke marrë parasysh statusin e tyre të barabartë me burrat në fushat e jetës politike, shoqërore, kulturore dhe ekonomike, pa shkelje të rregullave të jurisprudencës islame. “


Gruaja:

Neni i ri 10 thotë: “Shteti duhet të sigurojë nënat dhe shërbimet për ato dhe fëmijët duhet të jenë të lira.  Shteti gjithashtu do të garantoj koordinimin ndërmjet detyrave të gruas dhe punës e saj publike. Shteti do të sigurojë mbrojtje dhe kujdes për gratë e divorcuara dhe të vejat”.

Neni 30 thotë se “qytetarët, pa marrë parasysh gjininë,  janë të barabartë para ligjit dhe të barabartë në të drejtat dhe obligimet, dhe se nuk guxon të ketë diskriminim”


Të drejtat dhe liritë:

Kapitulli i të drejtave dhe lirive është i përfshirë në 24 nene.


Të drejtat dhe liritë:

Kushtetuta e re përfshin 51 nene mbi të drejtat personale, të drejtat politike dhe morale, të drejtat ekonomike dhe sociale, garancitë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Neni i ri 73 thotë: “Skllavëria e punësimit, skllavëria e detyruar dhe ajo seksuale konsiderohen akte të dënueshme me ligj.”

 


Ushtria: 

Asnjë nen në kushtetutën e vjetër.


Ushtria:

Nuk lejohet që qytetarët të dënohen nga gjykata ushtarake, përveç nëse krimet e tyre prekin çështjet e ushtrisë.


Media: Asnjë nen në kushtetutën e vjetër.


Media:

Neni 48 thotë: “Organizatat e medies nuk mund të pezullohen, mbyllen dhe asetet e tyre nuk mund  të konfiskohen nëse nuk ka një dekret gjyqësor”;


Gjyqësori:

Asnjë nen në kushtetutën e vjetër.


Gjyqësori:

“Gjykata e Lartë Kushtetuese është formuar nga kryetari dhe 10 anëtarë.” Ajo aktualisht ka një president dhe 18 anëtarë.


Mandati i Presidentit:

Mandati i presidentit është gjashtë vjet, duke filluar nga data e rezultateve të zgjedhjeve, presidenti mund të ri-zgjidhet për një numër të pakufizuar të herëve “.


Mandati i Presidentit:

Mandati i presidentit është katër vjet duke filluar nga rezultatet e zgjedhjeve, presidenti mund të ri-zgjidhet për një mandat të dytë, jo më shumë “