Liberalizimi i vizave nuk do ta ndryshoj gjendjen tonë!

“Nuk ka prioritet tjetër që duhet të adresohet para këtij prioriteti, nuk ka fonde që duhet të shpenzohen, para se të shpenzohen fondet për këtë proces, nuk ka punë tjera që duhet të përfundohen para këtij procesi” – ishin këto fjalët e kryeministrit në mbledhjen e Komitetit Punues për Liberalizimin e Vizave me 3 maj të këtij viti. Nga kjo shihet se kryeministri ka vënë prioritetin e vizave përmbi çdo prioritet tjetër. A nuk është prioritet gjendja në Mitrovicë dhe siguria e qytetarëve në veri, varfëria dhe gjendja jonë e rëndë ekonomike e sociale, arsimi, shëndetësia, punësimi, e shumë të tjera që për ne qytetarët janë më urgjente se sa mundësia e lëvizjes pa viza e cila edhe ashtu po na kufizohet nga gjendja jonë ekonomike? Kryeministri e di shumë mirë se përderisa qytetarët tonë ikin nga Kosova për të siguruar kafshatën e gojës dhe përderisa Bashkimi Evropian (BE) ndihet i kërcënuar nga niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë nuk do të ketë liberalizim të vizave. Ky kryeministër po vazhdon të manipulojë me popullin duke përdorur liberalizimin e vizave si “kartë” për të mbetur më gjatë në pushtet dhe vazhdon të na premtojë liberalizimin si një “dhuratë magjike” që posa ta marrim do të ndryshojë çdo gjë. Ndërsa, BE po e përdorë premtimin për liberalizimin e vizave si “karrotë’’ për Kosovën e cila në dialogun politik me Serbinë në Bruksel përdoret për të arritur BE-ja qëllimet e veta në Ballkan: largimin e Serbisë nga Rusia dhe afrimin e saj tek BE-ja. Po ne qytetetarët çfarë do të fitojmë?

Liberalizimi i vizave si ‘’karrotë’’ e BE-së për të arritur koncesionet e dëshiruara …

Bashkimi Evropian duke mos qenë i gatshëm që të realizojë premtimin për të pranuar shtetet e Balkanit në “klubin” e vet, e pa ‘liberalizimin e vizave’ si veglën më të mirë për të ndikuar tek shtetet e Balkanit për të filluar reformat e nevojshme si forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe migracionit të paligjshëm dhe forcimin e kapaciteteve të tyre administrative në kontrollin e kufijve dhe sigurinë e dokumenteve. Këto reforma nuk i ndihmuan vetëm BE-së për të rregulluar problemin e sigurisë por i ndihmuan edhe shteteve përkatëse që të jenë më të gatshme për procesin e integrimit në të ardhmen por edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre. Procesi i liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit dhe BE-në ishte i tipit “win-win” (fitore-fitore) sepse qytetarët e vendeve që fituan liberalizimin e vizave, duke përjashtuar Kosovën, jo vetëm që fituan të drejtën të udhëtonin pa viza por edhe fituan nga reformat që aplikuan shtetet e tyre në sigurinë e kufirit dhe të dokumenteve, në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat ishin fitore edhe për sigurinë e BE-së në të njëjtën kohë. Në rastin e Kosovës, BE-ja po e përdorë liberalizimin e vizave më shumë si vegël për të arritur marrëveshje me Serbinë sesa për të bërë presion mbi qeverinë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe në përmisimin e jetës së qytetarëve. BE-ja po e përdorë liberalizimin e vizave si “karrotë’’ për të arritur koncesionet e dëshiruara. Pra, liberalizimi i vizave, i cili mund të ishte një mjet i fuqishëm për të nxitur qeverinë për të bërë reformat dhe po ashtu të përmisojë jetën e qytetarëve, u përdor vetëm si vegël për diçka krejt tjetër: së pari, për ta futur qeverinë në dialogun teknik me Serbinë e, më pas, edhe në atë politik. Dhe, krejt kjo po bëhet vetëm për ta sjellur Serbinë më afër Evropës dhe më larg prej Rusisë. Deri më sot BE-ja ka arritur ta bind qeverinë të nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë e cila është shumë e dëmshme për të ardhmen e vendit, por nuk ka arritur as më të voglin sukses në përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si ndër kushtet kryesore që duhet përmbushur për liberalizimin e vizave. Deri vonë zyrtarë të lartë nga BE-ja na premtuan se liberalizimi i vizave mund të ndodhë më së largu në vitin 2014, ndërsa në prag të arritjes së marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, Samuel Žbogar, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, tha se ‘maksimumi kohor i liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë viti 2016’. Nga kjo po del se BE-ja po e shfrytëzon me shumë zgjuarsi qeverinë e korruptuar dhe të shantazhuar për të arritur qëllimet e veta në Ballkan.

Liberalizimi i vizave si kartë e qeverisë për të mbetur në pushtet…

Ndërkaq, nga ana e qeverisë së Kosovës karta e liberalizimit të vizave po vazhdon të përdoret me mjeshtëri duke u munduar që të largojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet e mëdha sociale dhe ekonomike. Por, jo vetëm kaq, pas çdo koncesioni të dhimbshëm që po bën qeveria po na e premton se do të shpërblehemi me liberalizimin e vizave. Dikur, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Ҫitaku, thoshte se Kosovës posa t’i jepet udhërrëfyesi me shpejtësi rekorde do ta fitojë liberalizimin e vizave sepse sipas saj Kosova veçse i kishte përmbushur gati të gjitha kriteret e caktuara nga BE-ja. Por gati pas një viti që kur Kosova mori udhërrëfyesin, nga zyrtarë të Brukselit na vijnë deklarata si ajo e eurodeputetes sllovene, Tanja Fajon, se Kosova nuk është ende e gatshme për liberalizimin e vizave sepse, siç tha ajo, nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara. Në të kundërtën, qeveria vazhdon të na rikujtojë se Kosova ka bërë përparime të mëdha në përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe në plotësimin e kritereve të përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Bile, ditëve të fundit, pamë sesi pushteti ia del të manipuloj edhe shifrat e papunësisë, siç ishte rasti i Agjencionit të Statistikave të Kosovës e cila në ditën e 1 Majit prezantoi shifra joreale duke thënë se papunësia në Kosovë është 35%. Po ashtu, në takime me delegacione Evropiane dhe në konferenca shtypi kemi dëgjuar kryeministrin të zotohet se do të bëjë çdo gjë që është e mundur për të plotësuar kriteret e caktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave në mënyrë që të na sigurojë neve si qytetarë lëvizjen e lirë dhe pa viza në zonën e Shengenit. Se kur do ta marrim liberalizimin e vizave dhe sa e sa konsecione të dhimbshme duhet të bëhen paraprakisht, nuk është e qartë.

 

Deri më tani Kosova ka bërë shumë pak në përmbushjen e kushteve të kërkuara për liberalizimin e vizave. Sipas raportit të Komisionit Evropian del se Kosova është shumë larg nga përmbushtja e kritereve të caktuara nga BE-ja. Raporti paraqet shumë mangësi sa i përket performancës së qeverisë duke filluar nga fusha e ri-pranimit, ri-integrimit, si dhe sigurisë së dokumenteve ku vëmendja më e madhe i kushtohet skandalit me pasaporta biometrike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, menaxhimit të kufijve dhe migracionit, rendit dhe sigurisë publike dhe të drejtave të njeriut që lidhen me lirinë e lëvizjes. Përveç vërejtjeve të shumta që jepen në Raport, vëmendje të veçantë i kushtohet korrupsiont dhe krimit të organizuar i cili vazhdon të mbetet problem madhor dhe serioz në Kosovë dhe kërcënimi më i madh për sigurinë e brendshme të BE-së. Reformimi i sistemit të drejtësisë, parandalimi i ndërhyrjeve politike në hetime, si dhe numri i lartë i lëndëve të pazgjidhura janë konsideruar si hapa që duhet të ndërmerren për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e për të cilat deri më tani qeveria nuk ka bërë asgjë. Mungesa e zhvillimit ekonomik të vendit, mungesa e hapjes së vendeve të reja të punës, varfëria e madhe në vend, numri i madh i aplikacioneve për azil, dështimet në reforminin e administratës dhe të gjyqësorit si dhe mosluftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë disa nga faktorët kryesorë që do të na bllokojnë nga lëvizja e lirë pa viza në zonën e Shengenit. E të mos flasim për skandalet e një pas njëshme të kësaj qeverie e në veçanti skandalit me pasaporta biometrike të Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilat po e dëmtojnë rëndë mundësinë e liberalizimit të vizave.

 

Se Kosova është larg nga marrja e liberalizimit të vizave na dëshmojnë edhe statistikat e nxjerra nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore. Sipas statistikave papunësia në Kosovë vazhdon të jetë 45%. Përderisa 37% e popullsisë, krahasuar me 32% në prill të vitit 2012, besojnë se gjendja ekonomike nuk do të ndryshojë, 18% e popullsisë besojnë se gjendja e rëndë ekonomike do të rëndohet edhe më tepër. Për më tepër, 47% e popullsisë e shohin papunësinë si problem kryesor. Dhe, si shpëtim nga kjo gjendje, 55% e rinisë kosovare e konsiderojnë ikjen nga Kosova si zgjidhjen më të mirë. Vetëm gjatë vitin 2012 në vendet e BE-së u paraqitën më shumë se 10 mijë kërkesa për azil duke bërë që Kosova ta zë vendin e 9-të në botë me numrin e azilkërkuesve. Në vend se kjo gjendje të shkojë drejt përmirësimit ajo vetëm sa po përkeqësohet edhe më tepër. Gjatë dy javëve të fundit, bazuar nga publikimi i gazetës Zëri, kanë ikur rreth 150 të rinj nga Kosova në Hungari përmes Serbisë për t’u shpërndarë më pas në vendet e tjera evropiane.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës …? 

Por edhe sikur BE-ja të na ofrojë liberalizimin si shpërblim për koncesionet e bëra ndaj Serbisë duke mos kërkuar nga qeveria të plotësojë kriteret tjera të parashikuara, gjë që nuk do të ndodhë, ne qytetarët nuk kemi si shpresojmë shumë. Edhe pse me liberalizimin e vizave premtohet lëvizja e lirë pa viza nëpër vendet e zonës së Shengenit, nga kjo do të përfitojnë më pak se 10 përqindëshi i popullsisë – ata që i kanë mjetet financiare për të udhëtuar, të cilët tashmë veçse janë duke udhëtuar dhe duke shijuar bukuritë e qyteteve evropiane. Ndërsa për pjesën dërrmuese të popullsisë lëvizja e lirë kufizohet me gjendjen ekonomike dhe financiare, që do të thotë se po nuk pate mjaft para për të dëshmuar se mund ta mbash veten gjatë gjithë qëndrimit tënd apo të dëshmosh vendin se ku do të qëndrosh atëherë në bazë të nenit 5.1 Schengen Borders Code udhëtimi për në zonën e Shengenit nuk të lejohet. Liberalizimi i vizave do të thotë se qytetarët mund të udhëtojnë pa viza duke u liruar nga procedurat e gjata dhe të shtrejta për aplikim të vizave. Pra, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të bëjnë vetëm udhëtime të shkurtëra pa viza në zonën e Shengenit me të drejtë qëndrimi deri në 90 ditë përbrenda periudhës 6 muajshe. Por liberalizimi i vizave nuk ofron të drejtën e punës në këto vende e as të drejtën për edukim për të cilat ka më së shumti ka nevojë rinia e Kosovës.

 

Kosova ballafaqohet me shumë problem serioze politike, sociale dhe ekonomike kurse qeveria fokusohet në liberalizimin e vizave thua se liberalizimi i vizave do të rregullonte çdo problem që ka Kosova. Në vend të hapjes së vendeve të reja të punës, perspektivës ekonomike dhe sociale, pushteti, si gjithmonë joserioz dhe i pasinqertë, na premton liberalizimin e vizave duke shpërfillur gjendjen tonë të mjerueshme. Qytetarët nuk po e shohin liberalizimin e vizave si mundësi për të lëvizur lirshëm si turistë por si mundësi për të ndryshuar gjendjen e tyre tashmë të rëndë sociale dhe ekonomike. Dhe, ndryshimi i gjendjes së tyre sociale dhe ekonomike është e pamundshme të realizohet përmes liberalizimit të vizave. Si shembulli më i mirë për këtë mund të marrim qytetarët shqipëtar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja e po ashtu edhe nga Maqedonia të cilët konsideruan liberalizimin e vizave si mundësinë më të mirë për të thyer akullin e varfërisë. Në momentin kur Serbisë dhe Maqedonisë ju lejua lëvizja e lirë pa viza, të rinjtë shqiptarë iu vërsulën kufijve me shpresën se atje do të gjejnë punë dhe kushte më të mira për jetë. Apo, siç ishte shprehur një i ri nga Bujanoci “Nuk ka punë…Me ikjen në Perëndim i them lamtumirë skamjes dhe mjerimit”. Ata shkuan dhe e panë se çdo të thotë liberalizimi i vizave. Përderisa një numër i qytetarëve vazhdojnë të jetojnë në qendrat e azilit me ndihma sociale me shpresën se shtetet përkatëse do t’iu ofrojnë azilin, pjesa më e madhe e qytetarëve u kthyen prap në vendin e tyre të varfërisë dhe të papunësisë. Pra, liberalizimi përpos që ju mundësoi të udhëtojnë pa viza nuk ju ndihmoi në ndryshimin e gjendjes së tyre të rëndë sociale. Dhe, po e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ne. Atëherë, sa ia vlen që t’i besojmë premtimeve boshe të qeverisë se së shpejti do të lëvizim pa viza kur qeveria nuk na ka siguruar lëvizjen e lirë në tërë territorin e vendit tonë…, kur qeveria premton heqjen e vizave pa bërë asnjë përmirësim të gjendjes ekonomike dhe sociale…, kur qeveria nuk e ka luftuar dhe nuk e ka ndërmend ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar sepse kjo i bie që ajo duhet ta luftojë vetveten…, kur qeveria nuk është në gjendje të sigurojë mirëqenie për qytetarët që i ka brenda e lëre më të sigurojë mirëqenie dhe siguri për ata që do të kthehen…, dhe, kur xhepat tonë çdo ditë e më tepër po zbrazen…!?

 

A ia vlen të bëjmë kompromise të dhimbshme me vendin tonë dhe të ardhmen tonë vetëm për të fituar një liri të lëvizjes pa viza e cila edhe ashtu po na kufizohet nga gjendja jonë ekonomike?

 

Fitore Pacolli, MSc

Ligjeruese ne Kolegjin UNIVERSUM

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s