Kosova drejt një konflikti shoqëror!

Informatat dhe lajmet e publikuara në mediet vendore tregojnë se mijëra qytetarë të Kosovës, kryesisht të rinjë, janë duke qëndruar në kampet e shtetit hungarez dhe dhjetëra të tjerë po nisen çdo ditë vetëm nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë për në veri të Serbisë, përkatësisht në qytetin e Suboticës, i cili gjindet afër kufirit me Hugarinë. Ata shfyrtëzojnë këtë rrugë për të kaluar në shtetet e  zhvilluara e destinacion primar e kanë Evropën perëndimore. Është fakt shumë shqetësues, mirëpo më shqetësuese është mënyra se si qeveria po tenton t’i qaset këtij fenomeni në rritje. Ndalja e arratisjes së qytetarëve të uritur dhe të lodhur nga skamja, papunësia dhe korrupsioni përmes forcave policore dhe prokurorisë shtetërore nuk është zgjidhje e duhur dhe nuk do të sjell asnjë përmirësim të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale në vendin tonë.

Duke pasur parasysh se qeveria nuk e ka pasur asnjëherë prioritet për ta zgjidhur këtë problem, ka qenë e pritur se Kosova do të  përballet me një sfidë të tillë. Në një studim të publikuar në tetor të vitit 2009, Dominik Zaum, profesor në Universitetin e Reading  në Angli, kishte arritur në përfundim se situata e vështirë ekonomike në Kosovë do të shpie drejt rritjes së trafikimit me qenie njerëzore, korrupsionit, rritjes së migrimit dhe shfaqjen e një konflikti shoqëror. Në të njëjtën mënyrë Vedran Džihić, ligjërues në  Universitetin e Vjenës  dhe në atë të Bosnjes, në një shkrim të tij në vitin 2010, e kishte konsideruar Kosovën si një ‘’bombë të kurdisur” e cila pritet të pëlcas në çdo moment për shkak të kushteve të rënda ekonomike në të cilat gjendet vendi. Në anën tjetër, raporte të ndryshme nga organizata të njohura ndërkombëtare dhe vendore kanë potencuar po ashtu një rrezik të tillë.

Mirëpo, të gjithë këta indikatorë u injoruan nga qeveria. Madje edhe tragjedia e Tisës, e cila ndodhi në nëntor të vitit 2011 ku humbën jetën 15 qytetarë nga Kosova kur u larguan në mënyrë ilegale me qëllim që të gjejnë një jetë më të mirë, u trajtua vetëm si një akt tragjik i kryer nga njё grup kriminelёsh. Në vend se qeveria të ndërmirrte hapa për të përmirësuar gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve, ajo na ngushëllonte me atë se çdo gjë do të rregullohej pas kapjes së atyre që kryen krimin. Duke premtuar se do të bëjë çdo gjë që të sjellë personat përgjegjës para drejtësisë, qeveria injoroi me vetëdije të plotë faktorët kryesorë – papunësinë dhe varfërinë e lartë në vend, që shtyen qytetarët fatkeq të marrin rrugën ilegale të emigrimit.

Në një shkrim të mëhershmë të cilin ia pata kushtuar tragjedisë së Tisës kam potencuar se kjo tragjedi nuk mund tё trajtohet vetёm si njё akt tragjik i kryer nga njё grup kriminelёsh, por si njё tragjedi shkaktarёt e sё cilёs shtrihen thellё nё sistemin politik tё Kosovёs. Korrupsioni, kriminaliteti dhe padrejtёsia kanë përkeqësuar gjendjen e rëndë sociale dhe ekonomike dhe tragjedi të tilla do të ndodhin gjithnjë përderisa ne si qytetarë nuk kërkojmë përgjegjësi prej kësaj qeverie. Tragjedinë e Tisës e kam konsideruar si një këmbanë zgjimi e cila na ftonte për angazhim në mënyrë që të ndryshojmë gjendjen tonë të rënduar sociale.  Por edhe atëherë qeveria me influencë dhe mjeshtëri të përsosur së bashku me mediet servile ndaj pushtetit u përkujdesën që para syve të publikut tragjedia e Tisës të paraqitet vetёm si njё akt tragjik i kryer nga njё grup i trafikantëve dhe jo si një gjendje emergjente që kërkonte veprime konkrete dhe të menjëhershme nga qeveria. Kjo po ndodh gjithnjë kur kemi situata të tilla.

Dhe sot kur mijëra qytetarë po largohen nga Kosova qeveria si strategji për dalje nga kjo situatë po e sheh ndalimin e ikjes së qytetarëve nga skamja të cilën e ka krijuar vet kjo qeveri përmes policisë dhe prokurorisë së shtetit. Kjo tregon se qeveria e tanishme nuk e ka ndërmend të bëj asgjë për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.  Kjo qeveri po brengoset vetëm për efektin që kjo situatë do të ketë në marrjen e liberalizimit të vizave: nuk po mundohet që ta zgjidhë këtë problem por vetëm ta maskoj atë. Mirëpo, ç’na duhet liberalizimi i vizave kur populli nuk ka bukë për të ngopur veten e lëre më të vizitojë Evropën?!

Kjo mënyrë na kthen mbrapa në kohën kur shqiptarët lëshonin Kosovën për të gjetur një jetë më të mirë. Ikja dhe qëllimi i largimit nga Kosova është i njëjtë, por ajo që e dallon këtë situatë nga ajo kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia është se qytetarët po largohen pa shpresa se do të kthehen ndonjëherë. Ne sot po përballemi me një pabarazi sociale ku vetëm një përqindje e vogël e popullsisë, e ashtuquajtura elitë, po bëjnë jetë luksoze ndërsa pjesa dërrmuese e popullsisë po jeton në një gjendje të mjerueshme.

Dje kur rreziku na vinte nga Serbia, edhe pse ishim në gjendje jo të mirë për t’u ngritur kundër forcave ushtarake serbe ne u ngritëm, rezistuam dhe mbrojtëm me nder vlerat dhe të drejtat tona. Ndërsa sot ne disi jemi dorëzuar, sikur nuk po kemi guxim të ngritemi kundër këtyre padrejtësive që po na i bën kjo qeveri. Kjo qeveri na e ka humbur dinjitetin kolektiv dhe vetëbesimin shoqëror.

Ne, si qytetarë, duhet ta kemi të qartë se të luftosh kundër një padrejtësie është e drejtë humane. Prandaj qytetarët duhet të vërshojnë rrugët në mbrojtje të vlerave njerëzore. Nuk mjaftojnë vetëm komentet në rrjetet sociale për të luftuar kundër padrejtësive që po na bëhen sot. Stephane Hessel, njëri ndër bashkëpërpiluesit e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, në pamfletin e tij Angazhohuni thotë ‘të mbrohemi dhe të ngrihemi kundër padrejtësive nuk guxon të përfundojë vetëm në mendime dhe në emërtimin e problemeve, por duhet të vazhdojë deri në aksion’. Hessel shton se rinia duhet të ngritet dhe të angazhohet kundër padrejtësive dhe kjo sot vlen më së shumti për rininë tonë e cila identifikohet si rini me vlera evropiane. Prandaj, ata që duan jetë të dinjitetshme  duhet të ngriten dhe të angazhohen për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e drejtë të demokracisë dhe barazisë. Ne, që kemi hapur mendjen dhe synim kemi vlerat, duhet të ngrihemi për të mbrojtur të drejtat tona ekonomike dhe sociale të cilat do të na siguronin mirëqenie dhe zhvillim. Vetëm përmes një angazhimi të mirëfilltë dhe duke krijuar shembuj të mirë mund të bëjmë një ndryshim thelbësor i cili do ta shpëtonte Kosovën nga konflikti shoqëror. Kosova i ka të rinjtë, të rinjtë e kanë Kosovën, kjo duhet të na shtyej përpara për të rikthyer dinjitetin dhe vlerat tona.

 

Fitore Pacolli,MSc

Ligjeruese ne Kolegjin UNIVERSUM

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s